Përfaqësuesit e Bashkësisë së Ekologëve „Natyra“-Strugë morën pjesë në takimin informativ dhe konsultativ me organizatat e shoqërisë civile nga Rajoni i Pellagonisë dhe Rajoni Jugperëndimor, i cili u mbajt më 29 janar 2026 në Shtëpinë e Oficerëve në Manastir.
Takimi u organizua në kuadër të projektit “Menaxhimi i qëndrueshëm i mbetjeve në nivel lokal”, i financuar nga Suedia dhe i implementuar nga Salar International, me fokus në fazën e operacionalizimit të Sistemit Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve.
Gjatë takimit u prezantua koncepti i sistemit rajonal, aktivitetet e planifikuara për mbylljen e deponive ekzistuese komunale dhe ilegale, ndërtimin e stacioneve të transferimit dhe qendrave grumbulluese, si dhe futjen e selektimit primar të mbetjeve, me qëllim uljen e sasisë së mbetjeve që përfundojnë në deponinë rajonale.
Në diskutim u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve, qytetarëve dhe sektorit civil, si parakusht për funksionimin e suksesshëm të këtij sistemi kompleks. Organizatat qytetare shprehën interes të lartë dhe kontribuan aktivisht me mendime dhe pyetje lidhur me infrastrukturën, selektimin e mbetjeve dhe rolin e komuniteteve lokale.
Po ashtu, u prezantua edhe një plan paraprak për përfshirjen e organizatave qytetare në proceset kyçe të sistemit rajonal, përfshirë hartimin e planeve aksionale rajonale dhe lokale, si dhe aktivitetet komunikuese me qytetarët.
B.E “Natyra“-Strugë mbetet e përkushtuar për pjesëmarrje aktive, dialog të hapur dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në drejtim të zgjidhjeve të qëndrueshme mjedisore dhe menaxhimit të përgjegjshëm të mbetjeve. 🌍♻️




Prezentimi nga takimi 29.01.2026
Infografiku nga Sistemi Rajonal i Menaxhimit të Mbeturinave (RWMS).
