Bashkësia e Ekologëve “Natyra” – Strugë fiton grant ndërkombëtar për krijimin e platformës digjitale Eco Patrol!

Bashkësia e Ekologëve “Natyra” – Strugë ka kënaqësinë të njoftojë se është përzgjedhur fituese e grantit ndërkombëtar Response Hub Innovation Grant, i financuar nga European Fund for the Balkans (EFB).

Ky grant do të mundësojë realizimin e projektit inovativ “Eco Patrol – Platformë Digjitale për Raportim dhe Reagim ndaj Ndotjes në Kohë Reale”, i cili synon të përmirësojë mbrojtjen e mjedisit përmes përdorimit të teknologjisë dhe përfshirjes aktive të qytetarëve.

Eco Patrol do të zhvillohet si një aplikacion mobil përmes të cilit qytetarët do të mund të raportojnë lehtësisht raste të ndotjes së mjedisit, si hedhja ilegale e mbeturinave, djegia e tyre, ndotja e ajrit, ndotja e ujërave dhe forma të tjera të dëmtimit të mjedisit. Raportimet do të shoqërohen me fotografi dhe lokacion të saktë, duke u mundësuar institucioneve përgjegjëse dhe organizatave mjedisore të reagojnë më shpejt dhe më efektivisht.

Një nga elementët më inovativë të platformës është lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarëve, ndërmarrjeve komunale dhe organizatave të shoqërisë civile në një sistem të vetëm digjital. Përmes raportimit dhe monitorimit në kohë reale, Eco Patrol do të kontribuojë në rritjen e transparencës, përmirësimin e reagimit institucional dhe fuqizimin e rolit të qytetarëve në mbrojtjen e mjedisit.

Projekti do të zbatohet për një periudhë prej pesë muajsh nga Bashkësia e Ekologëve “Natyra”. Gjatë fazës pilot do të zhvillohet versioni funksional i aplikacionit, i cili do të testohet në terren dhe do të vlerësohet për zgjerim të mëtejshëm në komuna të tjera.

Ky grant përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për punën shumëvjeçare të Shoqatës “Natyra” në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pjesëmarrjes qytetare dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Njëkohësisht, ai krijon mundësi për të sjellë një zgjidhje praktike dhe inovative që mund të shërbejë si model edhe për komunitete të tjera në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.

Falënderojmë European Fund for the Balkans (EFB) për besimin dhe mbështetjen e dhënë. Presim me entuziazëm të bashkëpunojmë me qytetarët, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile për të ndërtuar komunitete më të pastra, më të shëndetshme dhe më të përgjegjshme ndaj mjedisit.

Së bashku e mbrojmë natyrën. Së bashku jemi Eco Patrol!

Leave a Reply